Elon Musk e ka cilësuar AI si “një nga forcat më shkatërruese në histori”.
“Inteligjenca artificiale ka shumë të ngjarë të jetë një forcë për të mirën. Por probabiliteti që të shkojë keq nuk është zero për qind”, tha Musk në mbyllje të samitit inaugurues të Sigurisë së AI në Mbretërinë e Bashkuar.
Musk ishte i pranishëm gjatë gjithë eventit dy-ditor të mbajtur kryesisht në Bletchley Park, selia e programit të thyerjes së kodeve të Forcave Aleate gjatë Luftës së Dytë Botërore, së bashku me Zëvendës Presidentin e SHBA Kamala Harris, CEO-n e OpenAI Sam Altman dhe politikanë të tjerë të shquar dhe liderë globalë të teknologjisë.
“Jam i lumtur që shoh në këtë pikë që njerëzit po e marrin seriozisht AI”, tha Musk për Sunak të enjten.
“Faleminderit për këtë samit. Mendoj se do të mbetet në histori si mjaft e rëndësishme.”
Musk shpalosi disa parashikime për AI, duke përfshirë një të ardhme ku nuk do të nevojiteshin punë dhe shoqëria me AI do të ishte një nga format më të larta të miqësisë.
Në ditën e parë të eventit të AI, më shumë se 25 vende dhe Bashkimi Evropian nënshkruan deklaratën Bletchley, duke rënë dakord të punojnë së bashku për të krijuar një qasje të përbashkët për mbikëqyrjen në përpjekjet për të vendosur teknologjinë e AI “me qendër njeriun, për ta bërë më të besueshme dhe të përgjegjshme”, pa lënë pa nënvijëzuar “potencialin për dëm serioz, madje edhe katastrofik”, për të cilin shumë udhëheqës të teknologjisë kanë shprehur shqetësim.