Kosova nderon Nexhmije Pagarushën, përurohet busti për Mbretëreshën e këngës shqiptare

Një bust për Mbretëreshën e këngës shqipe, Nexhmije Pagarushës është vendosur këtë të shtunë në Kosovë.

Busti u përurua sot në Malishevë, me pjesëmarrjen e Kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati dhe në bashkëpunim me komunitetin e fshatit Pagarushë, morën pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Po ashtu edhe shumë personalitete të kulturës dhe artit, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe qytetarët të shumtë nga Pagarusha, Malisheva dhe mbarë trojet shqiptare, të cilët paraprakisht kanë bërë nderime tek varri i saj dhe më pas e kanë përuruar bustin, për të vazhduar me një koncert në Malishevë, me artistë të njohur të skenës së muzikës shqiptare.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, falënderoi ata që kanë kontribuar në ndërtimin e parkut dhe bustit për të madhen Nexhmije Pagarusha.