“Drejtësi për Brianin, pse nuk flasin mjekët”, protestë për 3-vjeçarin që humbi jetën pas ndërhyrjes dentare

Pasditen e kësaj të diele, shumë qytetarë u mblodhën në një protestë simbolike, për 3-vjeçarin i cili humbi jetën para disa ditësh pas një ndërhyrjeje dentare.

Qytetarë dhe familjarë të Brianit të vogël, u mblodhën para klinikës private ku vogëlushi kreu ndërhyrjen. Ata ndezën qirinj dhe vendosën lule, ndërsa me pankarta në duar, bënë thirrje për “Drejtësi”.

“Drejtësi për Brianin”; “Pse nuk flasin MJEKËT, po të ishte fëmija i tyre a do të flisnin?”; “Bluzat e bardha janë të shpëtojnë jetë jo të marrin jetë”, “Kush ia çoi yndyrnat dhe sheqernat në 0 Biranit? Presim përgjigje nga ju zonja dhe zoti Xhaxho”; “Fshehja e provave dhe kamerave përbëjnë vepër penale”, ishin disa nga pankartat e protestuesve.

Kujtojmë se kjo çështje tanimë po hetohet nga Prokuria e Tiranës, pasi prindërit e vogëlushit pretendojnë se pas anestezisë që iu bë të voglit ai nuk u zgjua më dhe pas dy ditësh në gjendje koma, ndërroi jetë.