Sot ditë zije në Kosovë në nderim të policit të vrarë nga terroristët në veri

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e sotme (E hënë 25 shtator 2023) të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të vendit.

Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së hënë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria po vazhdojnë aksionin edhe sot në Banjskë të Zveçanit. Sot kanë arritur ta gjejnë edhe një veturë me armatim në Zveçan. Këtë e ka konfirmuar Prokurori special i rastit të veriut, Naim Abazi.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe disa u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, nga fshati Samadrexhë i komunës së Vushtrrisë, vdiq nga plagët e marra në sulm.

Sipas tyre, njësitë policore vunë re në orët e para të së dielës vendosjen e dy kamionëve pa targa në urën në hyrje të fshatit Banjskë, të cilët kishin bllokuar lëvizjen.