Sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike (SPOK) është një sëmundje që prek mushkëritë dhe mund të parandalohet. Karakterizohet nga një ngushtim i parikthyeshëm ose pjesërisht i rikthyeshëm i rrugëve ajrore.
Ky ngushtim zakonisht është progresiv dhe shoqërohet me një përgjigje inflamatore jo normale kronike të mushkërive kundrejt grimcave të pluhurit dhe/ose gazeve si psh: monoksidi i karbonit prezent në tymin e duhanit dhe dioksodi i karbonit që gjendet në ajrin e ndotur të ambientit që na rrethon.
SPOK-u është shkaktari i tretë i vdekjeve në të gjithë botën dhe shkaktari i dytë që akuzohet për invaliditet të plotë të pacientëve. Në Shqipëri kjo patologji nuk njihet mirë dhe si rrjedhojë mbetet e padiagnostikuar ose e keqtrajtuar, shkruan bordo.al.
Studimet tregojnë që vendi ynë ka një prevalencë të lartë të SPOK-ut, duke prekur përafërsisht 5-6% të popullatës. SPOK është një sëmundje që nëse prek një person nuk mund të shërohet më. Mjekimi ka për qëllim frenimin sadopak të sëmundjes në stadin që diagnostikohet.
Cilët janë shkaktarët e kësaj sëmundje?
Duhanpirja është shkaku kryesor dhe më i zakonshëm. Njihen edhe faktorë të tjerë ndër të cilët përmenden: ndotja e ambientit, mosha, dieta ushqimore dhe aktiviteti i pakët fizik.
Cilat janë shenjat dhe simptomat që shoqërojnë këtë sëmundje?
Kolla kronike me sekrecione dhe vështirësia në frymëmarrje kryesisht gjatë ecjes janë më të shpeshtat në këtë sëmundje. Preken më tepër meshkujt mbi 40 vjeç duhanpirës, por kohët e fundit po shtohet edhe numri i femrave me SPOK si rrjedhojë e duhanit.