10 mijë pasgoditje nga 6 shkurti, sa do të vazhdojë “stuhia” e tërmeteve në Turqi?

Më shumë se 10 mijë pasgoditje kanë tronditur Turqinë që prej 2 tërmeteve vrastare të 6 shkurtit, disa prej tyre me magnituda të larta.

E fundit ishte ajo e të hënës, me magnitudë 5,6, ku humbën jetën 2 persona.

Por cili është shkaku i kësaj stuhie të vërtetë tërmetesh? Orhan Tatar, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Administrimit të Emergjencave dhe Fatkeqësive Natyrore në Turqi (AFAD), tha për CNN Turk se mbi 2500 prej 10 mijë pasgoditjeve ishin aq të mëdha sa të ndiheshin nga qytetarë.

Ai paralajmëroi edhe se do të ketë edhe pasgoditje të tjera, disa prej të cilave me magnitudë mbi 5. “Deri më tani, ne shohim se pasgoditjet e këtyre tërmeteve vazhdojnë në një zonë me një rreze prej rreth 100 km, e cila është përhapur në të gjithë rajonin.

Është jashtëzakonisht e rëndë të shohësh një pasgoditje të ndodhë pothuajse çdo tre minuta”, tha ai.

I pyetur sa do të vazhdojë stuhia e tërmeteve, Tatar u përgjigj: “Pasgoditjet e krijuara nga tërmete kaq të mëdha duhet të zgjasin për një kohë shumë më të gjatë”./A2CNN