E tmerrshme! Persona të armatosur sulmuan spitalin e të porsalindurve të shpëtuar nga tërmeti në Siri, aty ndodhet vogëlushja Aya, e cila u lind nën rrënoja

Persona të armatosur sulmuan një spital në veri të Sirisë, ku një vajzë po merr kujdes pasi lindi nën rrënojat e shtëpisë së saj të shkatërruar nga tërmeti, tha një zyrtar spitali të martën, duke shtuar se sulmuesit rrahën drejtorin e klinikës.

Zyrtari mohoi raportet në mediat sociale që pretendonin se sulmi i së hënës mbrëma ishte një përpjekje për të rrëmbyer foshnjën, të quajtur Aya – arabisht për “një shenjë nga Zoti”.

Aya ndodhet në spital që disa orë pas tërmetit të 6 shkurtit që goditi Turqinë dhe Sirinë. Nëna, babai dhe katër motrat e saj vdiqën në katastrofë, raporton ABCnews

Aya është ndjekur nga afër që nga lindja e saj dhe njerëz nga e gjithë bota i janë ofruar ndihmë.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti nga frika e hakmarrjeve, tha se drejtori i spitalit kishte dyshuar se një infermiere që po fotografonte Aya-n po planifikonte ta rrëmbente atë dhe e përzuri nga spitali. Infermierja u kthye disa orë më vonë e shoqëruar nga persona të armatosur që rrahën drejtorin. Gruaja e drejtorit e ka ushqyer me gji Aya.