Gjykata e Strasburgut pranon të shqyrtojë prishjen e Teatrit Kombëtar

Gjykata e Strasburgut ka njoftuar palën paditëse në Shqipëri, juriste përfaqësuese të Aleancës për Teatrin, Adriana Kalaja, se ka pranuar të marrë në gjykim kërkesën e tyre për prishjen e Teatrit.

Siç shihet dhe në dokumentin e publikuar, gjykata ka informuar palën paditëse.

Dosja është paraqitur në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, më 19 dhjetor 2022 dhe do të marrë në shqyrtim çështjen e mos ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shembjen e Teatrit Kombëtar, bashkë me pretendimet e tjera të Aleancës për Teatrin.

“Kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se ndryshe nga Gjykata jonë Kushtetuese e cila nuk pati kurajon të mbroje vendimin e saj dhe të ngrihet në lartësinë e detyrës, Gjykata e Strasburgut ka pranuar kërkesën e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe ka kaluar  për gjykim çështjen e mos ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që lidhet me Teatrin Kombëtar”, thuhet në njoftimin e Aleancës.

“Ky vendim shënon kulmin e betejës tonë ligjore lidhur me Teatrin Kombëtar. Jemi më të motivuar se kurrë për ta çuar deri në fund Kauzën tonë, Teatri aty dhe ashtu siç ishte”, vijon njoftimi.