Ndërron jetë personi më i vjetër në Tokë, ja sa vjeçe ishte

Personi më i vjetër në botë, murgesha franceze Lucile Randon, ka ndërruar jetë në moshën 118-vjeçare.

Randon, e njohur si Motra Andree, lindi në Francën jugore më 11 shkurt 1904, kur Lufta e Parë Botërore ishte ende një dekadë larg, shkruan The Guardian.

Ajo vdiq në gjumë në shtëpinë e pleqve në Toulon, tha zëdhënësi David Tavella të martën.

“Ka trishtim të madh, por … ishte dëshira e saj të bashkohej me vëllain e saj të dashur. Për të, është një çlirim”, tha Tavella, nga shtëpia e të moshuarve Sainte-Catherine-Labouré, për AFP.

Motra Andree u konsiderua prej kohësh si evropiania më e vjetër, përpara se vdekja e japonezes Kane Tanaka në moshën 119-vjeçare në vitin e kaluar ta linte atë personin më jetëgjatë në Tokë.

Ajo punoi si guvernatore dhe mësuese përpara se të hynte në një manastir në vitin 1944, në moshën 40-vjeçare. Ajo kishte qenë në shtëpi pleqsh që nga viti 1979 dhe në shtëpinë e Toulon që nga viti 2009.

Në vitin 2021, ajo i mbijetoi COVId-19 pasi virusi përfshiu shtëpinë e të moshuarve ku ajo jetonte, duke mbytur 10 banorë.

Në atë kohë, ajo i tha gazetës Var-Matin: “As nuk e kuptova se e kisha atë”.