I është dhënë lamtumira e fundit Arlind Gjikollit nga miqtë, kolegët dhe qytetarët e shumtë.
Artistit dhe drejtorit menaxhues të portalit Telegrafi i është dhënë lamtumira e fundit në varrezat e qytetit të Pejës.
Në ceremoninë e varrimit për themeluesin e grupit WNC nga Peja, ishin të pranishëm miq, kolegë, qytetarë të shumtë të Pejës, personalitete të jetës politike dhe kulturore.
Gjikla, siç e quanin të gjithë të afërmit dhe miqtë, ishte themeluesi dhe shtylla krijuese e grupit WNC nga Peja, që zhanrin e muzikës rep në Kosovë e çoi në një stad më të zhvilluar, qoftë me tekste të angazhuara, me muzikë apo me interpretim.
“Çka kom pasë”, “Qikat e mira”, “Për ty” … janë disa nga këngët e këtij grupi, që edhe sot dëgjohen dhe frymëzojnë gjeneratat e reja.
Pas grupit WNC, Gjikla ka vazhduar edhe solo-karrierën, me tekste që kundërshtonin anomalitë e shoqërisë së Kosovës. Mjafton të përmendet këtu kënga “Juda”, që godet amoralitetin në politikë, tjetërsimin e individit dhe humbjen e perspektivës dhe të shpresës.
Ata që patën fatin ta njohin do ta kujtojnë përherë si një njeri të mirë, të buzëqeshur, të afërt, të dijshëm dhe mbi të gjitha si njeri të sakrificave, tek i cili secili mund të llogariste për këshilla dhe për ndihmë.
Largimi nga kjo botë i njeriut të vlerave, është humbje e madhe jo vetëm për familjarët dhe për miqtë.
Në dhjetë vjetët e fundit, Gjikla ishte COO (Drejtor Menaxhues) i Telegrafit.