Ghanim Al Muftah është ambasadori i Kampionatit Botëror, ‘Katar 2022’, që performoi me Morgan Freeman në ceremoninë hapëse të turneut.
Ky njeri ka një histori të vështirë jete, por pavarësisht gjithçkaje, përpiqet të jetë një frymëzim për të tjerët.
Përkatësisht, 20-vjeçari vuan nga sindroma e regresionit kaudal, një çrregullim i rrallë që pengon zhvillimin e pjesës së poshtme të shtyllës kurrizore dhe ai ka lindur pa gjysmën e poshtme të trupit.
Prindërit vendosën ta vazhdonin shtatzëninë dhe ai lindi më 5 maj 2002, së bashku me vëllanë binjak, Ahmad. Që atëherë, Ghanim i mrekullueshëm ka mahnitur ata që e rrethojnë, duke u ngjitur në malet e larta të Gjirit me duart e tij, duke u bërë një aktivist i famshëm për njerëzit me aftësitë të veçanta dhe duke grumbulluar më shumë se tre milionë fansa në mediat sociale.
Në shkollë, luante futboll duke mbajtur këpucë në duar. Ai arriti të ngjitej në Jebel Shams, majën më të lartë malore në rajonin e Gjirit dhe gjithashtu e ka në plan ta ‘pushtojë’ malin Everest. Ghanim dëshiron të studiojë shkenca politike dhe të bëhet kryeministër i Katarit.
“Përmes të gjitha dallimeve në gjuhë ekziston një fije e përbashkët shprese, ngazëllimi dhe respekti. Ne mund të mos i kuptojmë fjalët, por thellë në brendi duhet të vlerësojmë dhe kuptojmë emocionet që na lidhin të gjithëve”, kishte thënë Freeman në ceremoninë e hapjes së ‘Katar 2022’.
“Ne u rritëm të besojmë se ishim të shpërndarë në këtë tokë si kombe dhe fise, në mënyrë që të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të gjejmë bukurinë në dallimet tona”, i tha 20-vjeçari rrezatues aktorit legjendar.
Me nofkën ‘djali i mrekullisë nga Katari’, gjendja e Ghanimit prek rreth një në 100.000 fëmijë, ndërsa ai i ka tejkaluar të gjitha parashikimet e mjekëve.
Në vitin 2017, Ghanim përfundoi pelegrinazhin mysliman në Mekë duke u zvarritur rreth Qabesë në duar në vend të një karrigeje me rrota.
Dy vjet më vonë, adoleshenti frymëzues përfundoi një nga sfidat e tij fizike më të frikshme deri më tani, duke u ngjitur në malin 9.827 metra të lartë Jebel Shams, një nga më të lartit në Gadishullin Arabik.
Krahas të bëmave fizike, Ghanim drejton organizatën e tij bamirëse për të ndihmuar fëmijët e tjerë me aftësi të kufizuara. I mbështetur nga familja e tij, ai themeloi Shoqatën Ghanim al-Muftah për karrocat.
Unë kujdesem për të tjerët – e konsideroj një detyrë humanitare dhe morale”, kishte thënë ai si një 13 vjeçar kur foli për Paraolimpiadën para Kampionatit Botëror Paralimpik të Atletikës në Doha të Katarit në vitin 2015.
Në të njëjtin vit, ai u zgjodh si ‘Ambasador i Vullnetit të Mirë’ i Reach Out To Azia (ROTA), ‘Fuqizimi i fëmijëve dhe të rinjve refugjatë palestinezë nëpërmjet sportit në Liban’. Adoleshenti vizitoi një kamp refugjatësh palestinezë në Nahr El Bared, Liban, ku hapi një qendër të re sportive për të ndihmuar 5.000 fëmijë.
Ai dhe prindërit e tij filluan gjithashtu ‘Projektin Bëhu Pozitiv’ për të ndihmuar në stërvitjen e fëmijëve me aftësi të veçanta.
Arritjet e tij sportive, së bashku me punën bamirëse dhe ndjekjen në mediat sociale, bënë që 20-vjeçari të zgjidhej si një ‘ambasador’ zyrtar i Kampionatit Botëror, ‘Katar 2022’.
Ai ka udhëtuar nga Katari në Mbretërinë e Bashkuar për të studiuar politikë në Universitetin Loughborough, në Leicestershire, ku është bërë një figurë e njohur në kampus, duke bërë patinazh midis seminareve dhe leksioneve në skateboardin e tij, teksa shpreson që një ditë të marrë patentën e tij të pilotit. /telegrafi/