Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është përfshirë në një aksident me veturë, ka zbuluar zëdhënësi i tij, raporton BBC.
Një veturë pasagjerësh u përplas me automjetin presidencial dhe eskortën e tij në Kyiv, tha Sergii Nykyforov në një deklaratë të shkurtër.
“Presidenti u kontrollua nga një mjek, nuk u konstatuan lëndime serioze”, tha ai.
Drejtuesi i veturës që u përplas me autokolonën ka marrë trajtim mjekësor në vendngjarje dhe është larguar me autoambulancë.
Nykyforov tha se të gjitha rrethanat e aksidentit të trafikut po hetohen nga oficerët e zbatimit të ligjit. Ai nuk dha detaje të tjera.
Aksidenti erdhi pasi presidenti Zelensky, 44 vjeç, vizitoi të mërkurën qytetin e rimarrë të Izyumit, një qendër kryesore logjistike në Ukrainën verilindore.
Ai falënderoi trupat që morën pjesë në një kundërsulm të shpejtë kundër pushtuesve rusë dhe mbikëqyri një ceremoni të ngritjes së flamurit.
Ditët e fundit, ushtria e Ukrainës ka rimarrë pjesë të territorit të pushtuar, duke i detyruar trupat ruse të tërhiqen.