Butës iu djeg vetura, zbulohen detaje nga sherret që çuan në vrasjen e 30-vjeçarit në Ferizaj nga vëllau i reperit!

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Ferizajt në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Gazmend Hyseni i njohur me nofkën Strella u vra nga Qendrim Januzi, vëllau i reperit Buta.

Mes miqve të dikurshëm mësohet se kishte kohë që kishin nisur mosmarrveshjet.

Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë të ditur se motivi i vrasjes së rëndë në Ferizaj nga hetimet fillestare është ngatërresa mes këngëtarëve, pjesë e të cilave është edhe vëllai i dorasit, reperi Buta (Betim Januzi).

Si rezultat i këtyre problemeve të vazhdueshme dyshohet se para një muaji reperit Buta iu është djegur vetura e tipi “Audi”, vlera e të cilës ishte 70 mijë euro.

Për këtë dhe motive të tjera që lidhen kryesisht me ngatërresat e vëllait të tij me këngëtarët tjerë dyshohet se Qendrim Januzi mbrëmë ndërmori veprime, ku si pasojë përfundoi i plagosur nga Policia.

Kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj, Shukri Jashari, ka dhënë detaje të reja në lidhje me vrasjen që ndodhi në Ferizaj.

Jashari në një prononcim për gazetën Nacionale ka treguar se një polic me rroba civile ka qenë rastësisht në vendin e ngjarjes. Jashari ka bërë të ditur se i dyshuari është operuar në spital.

“Personi i dyshuar është në sptial, është operuar. Rasti ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit rreth orës 1 të mëngjesit. Një person është vra, ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes”, ka thënë fillimisht Jashari.

Polici në rroba civile kishte qëlluar rastësisht në vendin e ngjarjes, duke e shoqëruar një të dyshuar tjetër për në stacion.

“Personi i dyshuar ka tentuar me ik, aty ka rastis polici në rroba civile, i cili ka qenë duke e transportuar një të dyshuar tjetër në Gjilan. Ai është prezantuar si polic që me u ndal i dyshuari, ai nuk është ndalë. Është rrezikuar edhe polici nga ana e të dyshuarit, dhe është detyruar me shti, e ka godit njëherë në nofull”, ka theksuar Jashari.