Ditën e sotme një lajm i hidhur ka ardhur për botën e sportit dhe futbollin shqiptar. Ylli Mihali, fizioterapisti i Kombëtares tonë, është ndarë nga jeta në moshën 55-vjeçare, ku ka humbur betejën me koronavirusin.
Pas këtij lajmi të trishtë ishin të shumtë personat që kanë shprehur ngushëllimet për këtë humbje të madhe, ndër ta edhe futbollisti Eros Grezda, i cili ka zbuluar edhe bisedën e fundit me të ndjerin.
“U prehsh në paqe Yll. Njeriu me shpirtin më të pastër që kam njohur”, ka shkruar Grezda në Instagram.

Ylli Mihali: Të marrsha të keqen, kështu të dua. Do t’i shkelësh me këmbë
Eros Grezda: Kismet zemra ime, të dua shumë dhe më mungon.
Ylli Mihali: Kam besim te ty vllai. Edhe mua më mungon, po jam i bindur se do të takohemi shpejt.

Këtë lajmin të hidhur të humbjes së Mihalit e ka konfirmuar presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka nëpërmjet një postimi në Facebook.
Postimi i plotë:
“Të dashur miq,
Pak minuta më parë u njoha me lajmin e kobshëm se Ylli Mihali, njeriu i mirë, fjalëpak, u nda nga jeta pas një betejë të gjatë e stërmunduese me Covid-19.
Ky është një moment i vështirë për të gjithë futbollin shqiptar, që e njohu dhe e dashuroi aq shumë Yllin, që emrin e reflektonte në ҫdo hap dhe moment të jetës së tij. Një fizioterapist dhe një njeri i jashtëzakonshëm që shërbeu për 27 vite pranë ekipit tonë Kombëtar, pranë klubit të tij Tiranës, pranë sportistëve në vështirësi, duke qenë pranë tyre në ҫdo situatë.
Humori, dashuria për njerëzit, dhembshuria e Yllit do të na mungojnë. Në këtë moment të vështirë për familjen e tij, miqtë e tij të shumtë, lutemi që shpirti i tij të prehet në paqe.
Lamtumirë Yll, do të të kujtojmë gjithmonë me dashuri!”, shkruan në postimin e tij Duka.
