Beatrix Ramosaj është përballur me një situatë shumë të frikshme të cilën e ka ndarë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale.
Këngëtarja e njohur ka treguar se ka përjetuar paralizë të gjumit dhe më e frikshmja në gjithë këtë ishte fakti se ndodhej e vetme në shtëpi.
Beatrix po ashtu ka zbuluar se kjo nuk është hera e parë që përjeton diçka të tillë.
Ajo ka treguar se pas shumë kohësh e ka përjetuar sërish dhe se është ndjerë shumë keq.
“Përjetova paralizë gjumi mbrëmjen e shkuar pas një kohe shumë të gjatë dhe e kisha harruar se sa traumatizuese është kjo gjë. Akoms dhe më e keqe kur je vetëm në shtëpi”, shkruan Beatrix në një postim në Instagram.

Por çfarë është paraliza e gjumit?
Paraliza e gjumit është një fenomen që ndodh në momentin kur ju zë gjumi ose kur sapo zgjoheni. Kur kjo gjë ndodh ju jeni të ndërgjegjshëm sepse truri juaj është zgjuar, por trupi jo, muskujt s’kanë marrë ende komandë nga truri që të lëvizin.
E gjitha ka të bëjë me tri ose katër fazat e gjumit. Ju mund të ëndërroni në çdo fazë të gjumit, por ëndërrat e fazës REM duket sikur janë ngjarje të vërteta që po përjetohen në kohë reale. Kjo sepse truri është jashtëzakonisht aktiv gjatë gjumit REM, por trupi është krejtësisht i paralizuar. Në momentin që truri zgjohet, trupi kërkon disa sekonda deri në 15 minuta që të marrë komandë nga truri që të lëvizë.
