E realizoi pak kohë para ndarjes nga jeta, Barbana publikon këngën e re të Ergi Dinit!

Pak vite më parë, bota e artit u trondit nga lajmi i ndarjes nga jeta të një prej të rinjve më premtues, Ergi Dinit. Ai ishte një prej vokaleve më të mira dhe më të spikatur mes artistëve të rinj dhe çdo projekt i tij muzikor është pritur shumë mirë nga publiku. Humbja e tij në nëntorin e vitit 2016, shkaktoi një dhimbje të madhe për familjen e tij dhe njerëzit e dashur dhe sidomos për motrën e tij, Barbana. Artistja vendosi të merrte një pauzë nga muzika deri disa kohë më parë, ku u rishfaq sërish më projekte të reja.

Familjarët e Ergi Dinit kanë publikuar ditën e sotme këngën e fundit që ai realizoi dy muaj para se të ndahej nga jeta. Projekti mban titullin “Loco”, një këngë verore, shumë ritmike. Përmes një statusi në rrjetet sociale, motra e të ndjerit, Barbana ka treguar se janë munduar ta përshtasin pasi kanë patur mungesë materialesh filmike, duke marrë parasysh dëshirën e admirusëve të Ergit për këtë projekt. Teksti është shkruar nga vetë këngëtari kurse vijën melodike e ka punuar në bashkëpunim me Alandy.

“E publikojmë pikërisht sot duke qenë se ishte një material muzikor i përshtatshëm për stinën e verës! Jemi munduar të përshtatim diçka duke pasur mungesë materialesh filmike të tij për ta shoqëruar dhe duke pasur parasysh faktin që shumë nga ju e deshët pafund dhe do donitë të dëgjonit diçka të re nga AI!“, ka shkruar Dini.

Kënga është realizuar me një videoklip, pamjet e të cilit janë shkëputur nga një performancë e Ergit në skenën e X Factor, duke e sinkronizuar deridiku me tekstin. I ftuar te “Rudina” pasditen e sotme, babai i Ergit tregoi se ata do sjellin pas disa kohësh edhe një version tjetër të këngës, të realizuar po nga vetë Ergi. Ky projekt do jetë varianti romantik i “Loco” që mund të publikohet më 7 korrik, sipas tij.

Kjo është kënga e dytë e realizuar në mungesë të Ergit. Në 2019, Barbana solli “Ku je”, bashkëpunimin e tyre të mbetur pezull. Ergi Dini u nda nga jeta më 21 nëntor të vitit 2016, pas një aksidenti tragjik me motor në Tiranë.