Një studim i ri i Universitetit të Edinburgut ka zbuluar se pothuajse 7 në 10 punonjës mbi moshën 50 vjeç përballen me çrregullime të vazhdueshme të gjumit, ku shkaku kryesor rezulton të jetë stresi në punë dhe mungesa e ekuilibrit mes jetës profesionale dhe asaj personale.
Studimi, i publikuar në revistën Scientific Reports, përfshiu 45 punonjës të moshës 50–66 vjeç nga sektorë të ndryshëm. Gjatë një viti, studiuesit analizuan të dhënat e mbledhura nga pyetësorët dhe më shumë se 5.200 ditë monitorimi përmes pajisjeve inteligjente që regjistronin cilësinë e gjumit.
Rezultatet treguan se afro 70% e pjesëmarrësve kishin çrregullime të rëndësishme të gjumit pa qenë diagnostikuar më parë, ndërsa 90% përjetonin zgjime të shpeshta gjatë natës. Edhe pse shumica flinin nga 6.5 deri në 8 orë, ata zgjoheshin të lodhur, çka tregon se problemi lidhet më shumë me cilësinë e gjumit sesa me kohëzgjatjen e tij.
Me ndihmën e inteligjencës artificiale, studiuesit zbuluan se punonjësit që ishin më të kënaqur me punën dhe ruanin një ekuilibër më të mirë mes jetës profesionale dhe asaj personale gëzonin një mirëqenie më të lartë. Në të kundërt, ata që përjetonin stres, tension dhe lodhje emocionale në punë kishin edhe probleme më të theksuara me gjumin.
Drejtuesi i studimit, profesori Athanasios Tsanas, tha se edhe vetë studiuesit u surprizuan nga përmasat e problemit. Sipas tij, përdorimi i të dhënave nga orët inteligjente bëri të mundur identifikimin e modeleve që më parë nuk ishin të dukshme, duke hapur rrugën për ndërhyrje që mund të përmirësojnë shëndetin e punonjësve, veçanërisht atyre që i afrohen pensionit.
Nga ana e saj, studiuesja Belinda Steffan theksoi se përveç faktorëve që lidhen me moshën, si menopauza apo ndryshimet natyrore të organizmit, në cilësinë e gjumit ndikojnë edhe përgjegjësitë familjare, vështirësitë ekonomike dhe stresi kronik në vendin e punës. Sipas saj, problemet e gjumit duhet të trajtohen si një çështje e rëndësishme e shëndetit në punë për punonjësit e të gjitha moshave.
