Ndonjëherë një shikim, një buzëqeshje apo mënyra si dikush sillet pranë jush mund të tregojë më shumë sesa fjalët. Gjuha e trupit është një nga mënyrat më të zakonshme përmes së cilës njerëzit shprehin interes, afërsi dhe emocione, edhe pa e kuptuar.
Sipas ekspertëve të komunikimit jo-verbal, disa sjellje mund të jenë tregues se një person ndihet i tërhequr ose i interesuar për dikë.
Kontakti me sy është një nga shenjat më të dukshme. Nëse ai ju shikon shpesh, përpiqet të mbajë kontaktin e syve gjatë bisedës ose duket sikur kërkon vëmendjen tuaj, kjo mund të tregojë interes dhe dëshirë për afërsi.
Mënyra si afrohet gjatë komunikimit është gjithashtu një sinjal. Një person që ndihet mirë pranë dikujt shpesh tenton të jetë më afër, të kthejë trupin nga ju gjatë bisedës dhe të tregojë se është i përqendruar tek ju.
Vëmendja ndaj detajeve të vogla është një tjetër tregues. Nëse ai kujton gjëra që i keni treguar më parë, pyet për ditën tuaj ose vëren ndryshime të vogla në pamjen apo humorin tuaj, kjo mund të tregojë se ju kushton rëndësi.
Një tjetër sjellje interesante është pasqyrimi i veprimeve. Shpesh njerëzit, në mënyrë të pavetëdijshme, imitojnë gjestet, qëndrimin ose mënyrën e të folurit të personit që u pëlqen. Kjo lidhet me ndjenjën e afërsisë dhe dëshirën për krijuar një lidhje.
Edhe kërkimi i arsyeve për të komunikuar mund të jetë një shenjë. Mesazhet e shpeshta, dëshira për të kaluar kohë së bashku apo interesimi për jetën tuaj mund të tregojnë se ai dëshiron të jetë pjesë e përditshmërisë suaj.
