Kalimi i një dite në plazh është sinonim i relaksit, por shumë njerëz ndihen çuditërisht të lodhur sapo kthehen në shtëpi. Sipas ekspertëve, kjo nuk është rastësi. Trupi punon më shumë nga sa e kuptojmë për t’u përshtatur me kushtet e detit dhe temperaturat e larta.
Një nga arsyet kryesore është ekspozimi ndaj diellit. Për të ruajtur temperaturën normale të trupit, enët e gjakut zgjerohen dhe rritet djersitja, procese që kërkojnë energji shtesë. Në të njëjtën kohë, organizmi prodhon më shumë melaninë për të mbrojtur lëkurën nga rrezet UV, duke shtuar më tej konsumin e energjisë.
Edhe noti, ecja në rërë dhe qëndrimi për orë të gjata në ajër të pastër ndikojnë në lodhje. Rëra e bën ecjen më të vështirë për muskujt, ndërsa noti angazhon pothuajse të gjithë trupin, edhe kur nuk duket si një aktivitet intensiv.
Një tjetër faktor është dehidratimi. Nën vapë humbasim më shumë lëngje përmes djersës dhe, nëse nuk pimë mjaftueshëm ujë, mund të ndiejmë lodhje, përgjumje dhe mungesë energjie. Po ashtu, ajri i detit dhe tingulli i dallgëve favorizojnë relaksimin, gjë që mund të krijojë ndjesinë e përgjumjes.
Ekspertët këshillojnë të hidratoheni rregullisht, të shmangni ekspozimin e zgjatur në orët me diell të fortë dhe të bëni pushime në hije, në mënyrë që dita në plazh të mbetet çlodhëse pa ju lënë të rraskapitur në fund të saj.
