Tradhtia emocionale mund të jetë po aq e dëmshme sa ajo fizike për një marrëdhënie. Edhe pse nuk përfshin kontakt intim, ekspertët thonë se ajo krijon një afërsi të fortë emocionale me një person tjetër, duke larguar vëmendjen, energjinë dhe ndjenjat nga partneri.
Sipas psikologes Cathy Nickerson, pothuajse të gjitha aferat emocionale nisin në të njëjtën mënyrë: kur një person fillon të ndajë problemet, pakënaqësitë dhe vështirësitë e lidhjes së tij me dikë jashtë marrëdhënies. Fillimisht bisedat duken të pafajshme, por me kalimin e kohës krijohet një lidhje emocionale gjithnjë e më e fortë.
Ekspertët shpjegojnë se kur një person fillon të kërkojë mbështetje emocionale, mirëkuptim dhe afërsi te dikush tjetër, rreziku që kjo lidhje të shndërrohet në diçka më shumë rritet ndjeshëm. Ndjenja e dëshirës për të komunikuar vazhdimisht me atë person konsiderohet një nga shenjat kryesore të një afere emocionale.
Megjithatë, specialistët theksojnë se jo çdo miqësi e afërt përfundon në tradhti. Problemi lind kur kufijtë e marrëdhënies fillojnë të zbehen dhe një person investon më shumë emocionalisht te dikush tjetër sesa te partneri i tij.
