Marrëdhëniet kalojnë ulje-ngritje dhe jo çdo periudhë e ftohtë do të thotë fundi i një historie dashurie. Megjithatë, ekspertët thonë se ka disa sinjale që mund të tregojnë se partneri po distancohet emocionalisht dhe se ndjenjat e tij nuk janë më si më parë.
Një nga shenjat më të dukshme është kur çdo gjë bëhet shkak për debate. Nëse partneri fillon të ankohet vazhdimisht edhe për detaje të vogla që më parë nuk e shqetësonin, kjo mund të tregojë një pakënaqësi më të thellë në lidhje.
Po ashtu, kur bisedat fillojnë të pakësohen dhe ai shmang diskutimet apo sqarimet, mund të jetë tregues i humbjes së interesit emocional. Në shumë raste, indiferenca konsiderohet më shqetësuese sesa vetë grindjet.
Një tjetër sinjal është shtimi i sekreteve. Kur partneri nuk ju përfshin më në jetën e tij si më parë dhe fillon të mbajë gjëra të fshehta, mund të jetë shenjë e një distance që po krijohet mes jush.
Edhe jeta intime mund të japë sinjale. Nëse pasioni është zbehur, afërsia emocionale mungon dhe momentet intime duken më shumë rutinë sesa dëshirë e vërtetë, kjo mund të tregojë se diçka ka ndryshuar në marrëdhënie.
Sigurisht, asnjë nga këto shenja nuk është provë absolute se dashuria ka marrë fund. Por nëse i vini re shpesh, ndoshta është momenti për një bisedë të sinqertë me partnerin, për të kuptuar se ku qëndron realisht marrëdhënia juaj.
