Ish në dashuri, kolegë në punë: Pse disa ia dalin ta menaxhojnë këtë raport

Të ndash të njëjtin ambient pune me një ish-partner mund të tingëllojë si një situatë e vështirë për t’u menaxhuar, por për disa njerëz kjo rezulton më e lehtë nga sa mendohet. Ndërsa disa ish-çifte arrijnë të ruajnë profesionalizmin dhe të bashkëpunojnë pa probleme, për të tjerë kjo përvojë mund të kthehet në një burim stresi dhe tensioni të vazhdueshëm.

Sipas ekspertëve të marrëdhënieve, çelësi për ta bërë këtë situatë të funksionojë është vendosja e kufijve të qartë dhe aftësia për të ndarë jetën personale nga ajo profesionale. Kur një marrëdhënie ka marrë fund në mënyrë të shëndetshme dhe të dy palët kanë pranuar ndarjen, bashkëpunimi në punë mund të jetë plotësisht i mundur.

Megjithatë, sfidat shfaqen kur mes ish-partnerëve ka ende emocione të pazgjidhura, konflikte të vjetra apo ndjenja si xhelozia dhe pakënaqësia. Në këto raste, dinamika në punë mund të ndikohet negativisht, duke krijuar jo vetëm parehati për ta, por edhe tension në gjithë ekipin.

Në fund, gjithçka varet nga mënyra si menaxhohet situata: pjekuria emocionale, respekti reciprok dhe komunikimi i qartë janë faktorët që bëjnë diferencën mes një bashkëpunimi të suksesshëm dhe një kaosi të garantuar.