Si të zgjedhësh modelin e flokëve në varësi të formës së fytyrës? Ja prerja që të nxjerr më në pah tiparet

Jo çdo model flokësh i shkon çdo forme fytyre. Prerja e duhur mund të balancojë tiparet, të theksojë sytë apo mollëzat dhe të ndryshojë totalisht pamjen. Ekspertët e bukurisë sugjerojnë që modeli i flokëve të zgjidhet gjithmonë duke pasur parasysh formën e fytyrës.

Fytyrë ovale

Fytyra ovale konsiderohet më e balancuara, ndaj pothuajse çdo model flokësh i shkon. Nga flokët e gjatë me onde te bob-i klasik apo prerjet e shkurtra, kjo formë fytyre lejon shumë eksperimentim.

Fytyrë e rrumbullakët

Qëllimi është të krijohet iluzioni i gjatësisë. Modelet me shtresa të gjata, volum në pjesën e sipërme ose flokët e drejtë poshtë shpatullave janë zgjedhje ideale. Prerjet shumë të shkurtra ose bob-i i prerë në nivelin e faqes mund ta bëjnë fytyrën të duket më e rrumbullakët.

Fytyrë katrore

Tiparet e forta dhe nofulla e theksuar zbuten më mirë nga onde të lehta, shtresa dhe prerje që krijojnë lëvizje. Balluket anash janë gjithashtu një zgjedhje e mirë për këtë formë fytyre.

Fytyrë në formë zemre

Personat me ballë më të gjerë dhe mjekër më të hollë përfitojnë nga modele që krijojnë volum në pjesën e poshtme të flokëve. Curtain bangs dhe flokët me onde janë ndër më të preferuarit.

Fytyrë e gjatë

Prerjet deri te supet, balluket dhe flokët me volum anash ndihmojnë që fytyra të duket më e balancuar. Flokët shumë të gjatë dhe të drejtë mund ta zgjasin edhe më shumë fytyrën.

Fytyrë diamant

Kjo formë karakterizohet nga mollëza të theksuara. Modelet me volum në pjesën e sipërme ose balluke anash ndihmojnë në balancimin e tipareve dhe nxjerrin në pah strukturën elegante të fytyrës.