Demenca tek të rinjtë, shenjat e hershme që shpesh ngatërrohen me stresin

Demenca zakonisht lidhet me moshën e tretë, por ekspertët paralajmërojnë se ekziston edhe demenca me fillim të hershëm, e cila mund të shfaqet edhe para moshës 65 vjeç, madje në disa raste edhe tek njerëz në të 30-at.

Sipas specialistëve, problemi është se shumë nga shenjat e para nuk njihen dhe shpesh ngatërrohen me lodhje, stres apo shpërqendrim të zakonshëm.

Shenjat më të hershme që mund të shfaqen:

* Ndryshime në të folur (vështirësi për të gjetur fjalët e duhura)
* Probleme me shikimin dhe përpunimin vizual (jo domosdoshmërisht dobësim i syve, por i trurit)
* Vështirësi në koordinim (p.sh. në lëvizje të thjeshta si veshja)
* Konfuzion i lehtë në situata të përditshme
* Humbje e fokusit dhe orientimit
* Ndryshime në sjellje ose humor

Ekspertët theksojnë se ndryshe nga demenca tek të moshuarit, ku dominon humbja e kujtesës, tek të rinjtë shpesh fillojnë probleme me gjuhën, perceptimin dhe koordinimin.

Një nga shqetësimet kryesore është se këto shenja injorohen ose nuk lidhen me një problem neurologjik, duke vonuar diagnozën dhe trajtimin e hershëm.