Je e lodhur, por gjumi nuk vjen? Ja zakoni që mund të të sabotojë pa e kuptuar

Të ndihesh e rraskapitur, por sapo vendos kokën në jastëk, gjumi të largohet… është një situatë që shumë njerëz e përjetojnë. Shpesh, problemi nuk lidhet me lodhjen fizike, por me mënyrën si funksionon mendja jonë në fund të ditës.

Një nga arsyet kryesore është ajo që ekspertët e quajnë “ankthi i gjumit”. Është momenti kur fillon të mendosh nëse do flesh mirë, sa orë do pushosh apo si do zgjohesh nesër. Këto mendime krijojnë tension dhe e mbajnë trurin në gjendje alarmi, pikërisht kur duhet të qetësohet. 

Në këtë mënyrë krijohet një rreth vicioz: sa më shumë përpiqesh të flesh, aq më shumë e shtyn gjumin larg. Mendja fillon të rikthejë ngjarjet e ditës, shqetësimet apo planet për nesër, duke e bërë të pamundur relaksimin.

Edhe zakone të përditshme si përdorimi i telefonit para gjumit apo një rutinë e çrregullt mund ta përkeqësojnë situatën, pasi e mbajnë trurin të stimuluar në vend që ta përgatisin për pushim. 

Zgjidhja? Fillon me gjëra të vogla: një orar i qëndrueshëm gjumi, shmangia e ekraneve në mbrëmje dhe krijimi i një rutine relaksuese si leximi apo ushtrimet e frymëmarrjes.