Dobësimi i thonjve nuk lidhet vetëm me faktorë estetikë apo mungesë kujdesi, por shpesh ka rrënjë më të thella – si stresi dhe ankthi i përditshëm. Sipas të dhënave të fundit, një numër i konsiderueshëm njerëzish përjetojnë probleme me thonjtë pikërisht për shkak të presionit emocional. 
Ekspertët theksojnë se stresi kronik mund të ndikojë drejtpërdrejt në shëndetin e thonjve, duke i bërë ata më të dobët, më të hollë dhe më të prirur ndaj thyerjes. Në disa raste, madje mund të shfaqen edhe infeksione, pasi sistemi imunitar dobësohet nga tensioni i vazhdueshëm. 
Por stresi nuk është i vetmi faktor. Mungesa e elementëve ushqyes si biotina, hekuri dhe zinku luan një rol të rëndësishëm në këtë problem, ndërsa përdorimi i shpeshtë i produkteve kozmetike agresive – si geli apo akriliku – mund ta përkeqësojë edhe më shumë gjendjen e thonjve. 
Zgjidhja, sipas specialistëve, nuk është vetëm te trajtimet e jashtme. Një dietë e balancuar, kujdesi i butë ndaj thonjve dhe mbi të gjitha menaxhimi i stresit përmes gjumit të mirë dhe aktiviteteve relaksuese mund të bëjnë diferencë të dukshme. 
