Gati për një fëmijë të dytë? Ja çfarë na zbulon Hailey Bieber

Modelja dhe sipërmarrësja ka ndarë së fundmi disa momente të rralla nga jeta familjare, duke treguar se dëshiron të ketë më shumë fëmijë me bashkëshortin e saj, këngëtarin Justin Bieber.

Themeluesja e markës së njohur të kujdesit për lëkurën Rhode, 29 vjeçe, ishte e ftuar në podcast-in Therapuss, ku foli hapur për amësinë dhe jetën me djalin e tyre, Jack Blues.

Çifti ka zgjedhur ta mbajë larg vëmendjes publike djalin 16-muajsh që nga lindja në gusht 2024, duke mos e zbuluar ende portretin e tij. Megjithatë, Hailey ndau disa detaje të ëmbla për zhvillimin e vogëlushit.

“Ai flet shumë për basketbollin. Thotë ‘basketball’ gjatë gjithë kohës,” tregoi ajo me humor, duke shtuar se po shijon çdo moment të mëmësisë.

Sipas saj, përvoja si nënë ka qenë ndryshe nga çdo gjë që kishte imagjinuar:
“Gjithmonë e kam ditur që doja fëmijë dhe kam dashur të bëhem nënë. Por kur ndodh realisht, nuk e di çfarë të presësh. Sinqerisht, është shumë argëtuese.”

Gjatë bisedës, Hailey konfirmoi edhe planet për të ardhmen e familjes, duke lënë të kuptohet se Jack mund të mos mbetet fëmija i vetëm.
“Patjetër që dua edhe një,” u shpreh ajo.

Deklarata e saj vjen në një periudhë kur çifti po përpiqet të ruajë një ekuilibër mes jetës publike dhe asaj private, duke zgjedhur ta jetojnë prindërimin larg zhurmës së mediave, por herë pas here duke ndarë copëza të vogla nga kjo fazë e re e jetës së tyre.