Një investigim i fundit i BBC ka nxjerrë në pah një fenomen të frikshëm në Londër, ku vajza të mitura përdoren nga bandat e drogës për abuzime seksuale dhe aktivitete kriminale. Bazuar në intervista me dhjetëra persona, përfshirë pesë viktima të abuzuara seksualisht, artikulli tregon sesi vajzat fillimisht josheshin për të shitur drogë, tregtuar armë ose vjedhur, por shumë shpejt ato përballeshin me abuzime seksuale.
Hetimi zbulon se bandat, nga përbërje të ndryshme etnike përfshirë grupet aziatike, veprojnë gjerësisht në kryeqytet dhe shpesh shfrytëzojnë vajzat e reja, duke i vënë ato në një pozitë të pafuqishme.
“Nuk mendoja se isha viktimë,” thotë Kelly, një nga viktimat. Ajo tregoi se fillimisht u detyrua të shiste drogë, por më pas shfrytëzimi seksual u intensifikua. “Nuk kisha para dhe ndihesha e lënë pas dore, kështu që u futa në disa lidhje të gabuara dhe shpejt fillova të shisja drogë në rrugë. Por kjo u shndërrua në abuzime seksuale, sidomos kur kishim borxhe ndaj bandës.”
“Isha 15 vjeç. Më kalonin burra të ndryshëm çdo natë, ndonjëherë 10 ose 15 në muaj”, deklaroi një tjetër vajzë e abuzuar.
Zyrtarët e sigurisë shpjegojnë se vajzat brenda këtyre bandave nuk kanë mundësi t’i thonë “jo” abuzimit seksual. Në hierarkinë e bandave, ato ndodhen në nivelin më të ulët dhe janë të detyruara të përmbushin çdo kërkesë, përfshirë marrëdhënie seksuale.
Një zëdhënës i kryebashkiakut të Londrës theksoi se çdo individ, grup apo bandë që shfrytëzon fëmijët është i papranueshëm dhe i tmerrshëm. “Policia Metropolitane do të ndjekë çdo provë dhe ne do të bëjmë gjithçka për të luftuar shfrytëzimin seksual të fëmijëve dhe për të mbrojtur viktimat,” shtoi ai.
Punonjësit socialë raportuan se shumë viktima vijnë nga familje të shkatërruara ose kanë përjetuar më parë abuzime, varfëri apo përdorim droge, duke i bërë ato më të prekshme ndaj bandave kriminale.
Një vajzë tjetër, 15 vjeçe, rrëfeu tmerrin që përjetonte: “Më kalonin burra të ndryshëm çdo natë, ndonjëherë 10 ose 15 në muaj. Na jepnin drogë ose pije, pastaj më duhej të isha me njëri prej tyre, dhe më pas me një tjetër. Ndonjëherë ishte vetëm një, ndonjëherë tre.”
Ajo shtoi se shumica e abuzuesve ishin burra nga Azia Jugore, të cilët nuk kërkonin gjë tjetër veç seksit. “Më jepnin gjëra të shtrenjta dhe ndihesha e dëshiruar, por ishte një mashtrim. Ata përfitonin nga situata ime,” rrëfeu vajza.
Ky hetim i BBC-së tregon qartë se abuzimi seksual dhe shfrytëzimi i të miturave nga bandat kriminale në Londër është një problem serioz, i cili kërkon ndërhyrje urgjente nga autoritetet për të mbrojtur viktimat dhe për të ndaluar rrjetet kriminale.
