Luana Vjollca vijon të tërheqë vëmendjen jo vetëm në skenën shqiptare, por edhe në atë ndërkombëtare.
Së fundmi, ajo është bërë pjesë e një artikulli në L’Officiel Arabia, një nga revistat më të njohura dhe më prestigjioze në botën e modës, bukurisë dhe kulturës, duke konfirmuar edhe një herë pozicionin e saj si një figurë me ndikim përtej ekranit televiziv.
Në artikullin e publikuar nga L’Officiel Arabia, Luana prezantohet si një nga emrat më të spikatur të televizionit dhe si një sipërmarrëse e suksesshme, duke u cilësuar si një figurë që ka ndërtuar një identitet të fortë përmes punës, këmbënguljes dhe vizionit personal.
Revista thekson se prezenca e saj në Dubai Mall Global Fashion Awards nuk ishte thjesht simbolike, por e lidhur drejtpërdrejt me mesazhin që ajo përcjell.
Në intervistë, Luana thekson se ka zgjedhur gjithmonë sinqeritetin përpara perfeksionit, duke besuar se pikërisht kjo është ajo që krijon lidhje të vërteta me publikun.
“Kam zgjedhur ndershmërinë përpara perfeksionit. Kur flet nga një vend i vërtetë dhe real, njerëzit nuk të dëgjojnë vetëm, por edhe të ndjejnë,” shprehet Luana.

L’Officiel Arabia , e përshkruan atë si një figurë që frymëzon, jo vetëm për arritjet e saj profesionale, por edhe për mesazhin që përcjell te gratë dhe të rinjtë.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për zhurmë mediatike, por për një mënyrë për të frymëzuar të tjerët që të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të japin më të mirën nga vetja,” citohet në artikull, duke shtuar: “Më motivon të vazhdoj të rris standardet e mia, në mënyrë që kushdo që më ndjek të marrë guxim dhe energji për të realizuar ambiciet e veta. Trendët kalojnë, por autenticiteti dhe pasioni lënë një gjurmë të qëndrueshme.”
Artikulli ndalet gjithashtu te ana sipërmarrëse e saj, duke theksuar se Luana ka ditur të ndërtojë një brand personal të fortë, të bazuar në pavarësi, qëndrueshmëri dhe autenticitet si “Lulu by Luana”, I cili në më pak se një vit, ka patur sukses mbresëlënës duke u përqafuar kudo nga vajzat edhe përtej Shqipërisë.
Për tu nënvizuar këtu është edhe fakti se brendi i saj ka pasur bashkëpunime të frytshme me disa prej kompanive më të mëdha në vend, por gjithashtu vetëm pak kohë më parë, “Lulu by Luana” bëri një paraqitje dinjitoze në Miami, ku shpalosi më së miri ambicien për t’u zgjeruar globalisht .
Për L’Officiel Arabia, kjo është pikërisht arsyeja pse figura e saj gjen hapësirë në media ndërkombëtare, pasi ajo përfaqëson një model modern suksesi, ku imazhi dhe përmbajtja ecin paralelisht.
