Jo vetëm muzikë: Bad Bunny përdor Super Bowl, për të sfiduar politikën e emigracionit(gjithçka që humbët)

Bad Bunny ishte protagonisti i spektaklit të pushimit (halftime show) në Super Bowl 2026, një nga ngjarjet më të ndjekura televizive në botë. Performanca e tij nuk u perceptua vetëm si argëtim, por si një deklaratë e fortë kulturore, në një moment kur Shtetet e Bashkuara po përballen me tensione të forta rreth çështjes së emigracionit dhe aksioneve të intensifikuara të ICE.

Artisti portorikan zgjodhi që performancën ta ndërtonte pothuajse tërësisht në gjuhën spanjolle, duke sjellë në skenë ritme latine, simbole identitare dhe mesazhe bashkimi. Për shumë media ndërkombëtare, ky ishte një akt i qëllimshëm për të përfaqësuar komunitetet emigrante që shpesh ndihen të përjashtuara nga narrativat zyrtare.

Në skenë u shfaq mesazhi “The only thing more powerful than hate is love”, një frazë që u lexua si vazhdim i qëndrimeve publike të Bad Bunny kundër gjuhës së urrejtjes dhe përjashtimit. Në fund të performancës, ai shfaq edhe mbishkrimin “Together We Are America”, duke nënvizuar idenë se Amerika është një mozaik kulturash.

Pak ditë para Super Bowl-it, Bad Bunny kishte qenë i drejtpërdrejtë në fjalët e tij gjatë një daljeje publike, ku deklaroi: “Para se të falënderoj Zotin, do të them: ICE jashtë.” Ai vijoi më tej duke shtuar: “Ne nuk jemi të egër. Nuk jemi kafshë. Nuk jemi alienë. Ne jemi njerëz dhe jemi amerikanë.”

Edhe pse këto fjalë nuk u përsëritën drejtpërdrejt gjatë spektaklit, për shumë analistë performanca e Super Bowl-it ishte një vazhdim simbolik i këtij qëndrimi. Bad Bunny zgjodhi artin dhe muzikën për të përcjellë mesazhin e tij, duke shmangur retorikën e drejtpërdrejtë politike, por pa e humbur thelbin.

Në një kohë kur ICE po ndërmerr aksione që kanë ndezur debat të fortë shoqëror, performanca e tij u interpretua si një thirrje për empati, përfshirje dhe njohje të kontributit të emigrantëve në shoqërinë amerikane.

Në këtë kuptim, Super Bowl 2026 nuk ishte vetëm një moment kulmor për karrierën e Bad Bunny, por edhe një pasqyrim i realitetit shoqëror dhe i ndarjeve që vazhdojnë të ekzistojnë në Shtetet e Bashkuara.