Tetori rozë, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit

Tetori është caktuar si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë botën, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin paliativ të kësaj sëmundjeje.

Ai organizohet çdo vit dhe synon të shpërndajë informacion në lidhje me shëndetin e gjirit, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë globin.

Kanceri i gjirit është një nga sëmundjet më të zakonshme te gratë në mbarë botën, me rreth 2.3 milion raste të reja të diagnostikuara çdo vit, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Njohja e shenjave të hershme është thelbësore për zbulimin e hershëm dhe trajtimin e suksesshëm të kësaj sëmundjeje.

Një nga shenjat e para që mund të vërehet është një ndryshim i papritur në madhësinë ose formën e gjinjve. Kjo përfshin enjtjen, rënien ose asimetri të papritur. Gratë duhet të jenë të vetëdijshme për çdo ndryshim të tillë dhe të konsultohen me mjekun e tyre sa më shpejt të jetë e mundur.

Prania e një gungë ose një mase në gjoks ose në zonën e sqetullës është një tjetër shenjë alarmante.

Këto masa shpesh janë të forta dhe mund të jenë të palëvizshme ose të lëvizshme nën lëkurë. Një vetë-ekzaminim i rregullt mund të ndihmojë në identifikimin e këtyre ndryshimeve në një fazë të hershme.