Shorti në Prokurorinë e Tiranës zgjodhi prokuroren Elona Alvora të ekzekutojë vendimin e Apelit, i cili konfirmon dënimin me 1 vit burg për deputetin e PD-së fajtor për kallëzim të rremë për dosjen “Babale’.
Prokurori i Apelit Arben Qose mori dje vendimin e shkurtuar të Apelit dhe ia dërgoi Prokurorisë së Tiranës për ekzekutim. Sot në mëngjes u hodh shorti që caktoi prokuroren Elona Alvora të ekzekutojë vendimin e Apelit.
Trupa gjykuese e gjykatës së Apelit e përbërë nga Elona Toro, Genti Shala dhe Iliba Bezati lanë dje në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës të 18 dhjetorit 2019 e cila shpallte fajtor Salianjin për ‘kallëzim të rremë’ lidhur me për audio-përgjimin e dosjes Babale dhe e kishte dënuar me 1 vit burg.
Në audio përgjim pretendohej se vëllai i ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në një episod trafiku droge.
Por skenari i dytë është mundësia e dorëzimit vullnetar të deputetit të PD-së.
Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji deklaroi mbrëmë në një studio televizive se nesër (pra sot, 27 shtator) do të zbatojë vendimin për ndalimin e tij dhe se për këtë arsye do të shkojë vetë në polici.
“Po, besoj se në rrugë e sipër është. Është ndjekur një procedurë, që do të jetë urdhër ekzekutimi i menjëhershëm dhe nesër mesa duket do të zbatohet. Por do të jem vetë që do të shkoj”, tha Ervin Salianji, për tv e Sali Berishës, ‘syri tv’
Ndërkohë kryesia e PD-së mori dje vendim për të thirrur protestë më 6 tetor. Mbledhja e Kryesisë së PD zgjati rreth 1 orë e 30 minuta. Berisha foli online, ndërsa tha se me këtë vendim Rama i shpalli luftës PD.