Kohët e fundit, në rrjetet sociale po reklamohen lojëra nëpërmjet të cilave fitohen para. Për ta bërë të besueshme, përdoren videot e njerëzve të famshëm që luajnë këtë lojë, gjë që në fakt është mashtrim.
Lidhur me këtë skemë mashtrimi ka reaguar edhe Policia e Shtetit, ku përmes një njoftimi zyrtar apelon për kujdes të shtuar të qytetarëve, në mënyrë që të mos bien pre.
Personat që fshihen pas kësaj skeme mashtrimi kërkojnë të dhëna të llogarive bankare të qytetarëve dhe më pas iu marrin para.
“Ofruesit e lojërave kërkojnë numrat e llogarive bankare. Kjo është një skemë për marrjen e të dhënave të llogarive bankare, nga të cilat mund t’iu merren shuma monetare.
Nisur nga rastet e shtuara të përdorimit të këtij aplikacioni, kryesisht nga nxënësit, me qëllimin për të fituar para, Policia e Shtetit apelon për prindërit që të tregohen të kujdesshëm, për të mos lejuar fëmijët që të përdorin këtë aplikacion dhe në rastet kur ata e përdorin, të tregojnë kujdes, pasi duke dhënë të dhëna personale dhe të llogarive bankare, mund t’iu tërhiqen para nga llogaria juaj”, thuhet në njoftim.
Policia iu bën thirrje qytetarëve që të mos ndajnë të dhëna të llogarive bankare në të tilla aplikacione.