Pasditen e sotme qytetarët do të protestojnë në sheshin “Skënderbej” për vrasjen e Egli Progës, 42-vjeçari nga Pogradeci i cili u dhunua për vdekje nga Denis Meçe.
Policia njofton se për shkak të protestës, e cila pritet të nisë në orën 19:30 në sheshin “Skënderbej” për të vijuar më pas drejt Kryeministrisë, do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera në varësi të lëvizjes së tubuesve.
“Për shkak të zhvillimit të një tubimi ditën e sotme në orën 19:30, parashikuar për tu zhvilluar nga sheshi “Skënderbej” deri te Kryeministria, do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera në varësi të lëvizjes së tubuesve.
Njoftojmë qytetarët se sot, prej orës 19:30 e deri në përfundim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, segmenti i rrugës “Myslym Shyri” nga Gjykata e Lartë deri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Policia apelon për të gjithë qytetarët që të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugët “Ibrahim Rugova” dhe “Papa Gjon Pali” si rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit”, njofton policia.
Ndërkohë ditën e djeshme, reagoi edhe motra e të ndjerit Egli Proga, Jonida Proga, e cila theksoi se nuk ka për tu ndalur deri në momentin që të gjejë drejtësi për vrasjen e vëllait të saj.