Historia prekëse që fsheh numri 304, çfarë mesazhi dha Lamine Yamal pas golit ndaj Francës

Lamin Yamal është duke jetuar ëndrrën më të madhe që mund të kishte çdo adoleshent, duke qenë pjesë e rëndësishme e kombëtares spanjolle, e cila e sheh veten në finalen e Euro 2024.

Pak para se të mbushte 17-vjeç, golashënuesi më i ri në historinë e Europianëve dhe Botërorëve, bëri që i gjithë planeti të flasë për golin historik që arriti ndaj Francës në gjysmëfinale.

Mbrëmjen e kaluar pasi e dërgoi topin në rrjetën e “gjelave” në minutën e 21-të të ndeshjes, ai vrapoi drejt pankinës së skuadrës së tij duke festuar krah bashkëlojtarëve.

Si pjesë e festës së tij, ai formon me gishta një 3, një 0 dhe një 4 (304). Dhe kjo për një arsye prekëse.

Këto janë tre shifrat e fundit të kodit postar të lagjes Rocafonda (08304), një nga lagjet më të varfra në Katalonjë, të cilën e djathta ekstreme VOX e quajti “pleh shumëkulturor”.

Yamal u rrit në Rocafonda. Pjesa më e madhe e familjes së tij ende jeton atje. Në fakt, jashtë një furre të vogël buke, e drejtuar deri vonë nga kushërinjtë e tij dhe xhaxhai i Abdul, është një mural i Yamal i veshur me një fanellë të Barcelonës, i rrethuar nga flamujt e Marokut (vendi i origjinës së babait të tij) të Guinesë Ekuatoriale (nëna e tij) dhe Spanjës, ku ai lindi.

Rocafonda është një nga lagjet më të varfra në zonën Maresme të Barcelonës. Megjithatë, Yamal ka përqafuar vazhdimisht rrënjët e tij dhe festimi i tij vepron si një shenjë për qytetin e tij të lindjes.