“Ethet” e Euro 2024! Sylvinho para sfidës me Italinë: E dimë kë kemi përballë

Shqipëria është gati për takimin kundër Italisë, e cila do të luhet të shtunën e 15 qershorit në Dortmund. Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho është shprehur në konferencën për mediat se Shqipëria do të luftojë për çdo pikë.

“Para së gjithash jam shumë i gëzuar që jam këtu. Kemi pasur një garë të vështirë gjatë kualifikimeve dhe është një nder i madh të jem me Shqipërinë në EURO 2024. Është fantastike për kapitenin (Gjimshiti) pasi nuk ka luajtur në 2016-ën. Është një nder i madh për të që është kapiten këtu.
E di që do të jetë e vështirë kundër kundërshtarëve tonë. Do të shkojmë për të luftuar për çdo pikë. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë përballë Italisë. 11-shi startues është i gatshëm. Pas stërvitjes së fundit do të vendosim për 2 ose 3 emra të tjerë.

Kemi aq shumë shqiptarë gjithandej nëpër botë. E dimë që ka shumë shqiptarë në Gjermani, Itali, Zvicër. Është një përgjegjësi shumë e madhe për ne të përfaqësojmë këta njerëz të mrekullueshëm. Do të jetë akoma dhe më mirë që stadiumi të jetë i mbushur me ngjyrat kuq e zi.
Nuk kam folur me Mancinin për 6 muajt e fundit. Ai ka bërë një punë të mrekullueshme duke fituar Europianin në 2021-shin. Ju e dini që qoftë Europian ose Botëror, Italia është një skuadër e niveli më të lartë. Kanë fuqi, shkathtësi, aftësi. Italia është një nga skuadrat më të mira. Ajo kur del në fushë, shkon për të fituar të gjithë kompeticionin. Ne futemi për të marrë më të mirën.
Pas ndeshjes me Moldavinë, kur e premë biletën për në Europian, 6 muaj më vonë, ndjenjat janë njësoj si në atë ndeshje. Skuadra është shumë e motivuar. Djemtë janë të gatshëm dhe do të jetë një ditë e mrekullueshme. Pas ndeshjes me Italinë do të jetë dita me më shumë emocione. Do të dalim në fushë për të dhënë më të mirën.
Skema e Italisë? Kjo është një pikëpyetje e madhe për ju e për ne. Duke parë nga ajo që ka bërë Italia, ata mund të luajnë 4-3-3, ose 3-4-3. Ata kanë një anë të fuqishme dhe është e vështirë të thyen. Ka lojtarë që e mbajnë topin shumë mirë, janë të shkathët.
E dimë se sa të mëdhenj janë kundërshtarët tanë. Në vitin 2018 kemi nisur Botërorin me Brazilin dhe bëmë një ndeshje të barabartë me Zvicrën. Ata që janë favoritë, ndoshta do të kenë vështirësi. Ne kemi ardhur këtu për të provuar atë që duhet. Ata nuk mund t’i lejojnë vetes shumë gabime. Siç e kam thënë, ne do të dalim në fushë dhe do të luftojmë për çdo pikë. Është një garë e vështirë, por çdo gjë mund të ndodhë. Dhe ne do të provojmë.
Ne i kemi studiuar që të tre kundërshtarët tanë gjatë javëve të fundit. Kemi punuar 6-7 ditë për të krijuar një strategji. Kemi patur 3 apo 4 ditë për të punuar për ndeshjen e dytë dhe vlen njësoj për ndeshjen e tretë. Dëshira jonë është që të dalim aty dhe të bëjmë më të mirën.
Kur një lojtar që vjen me një numër më të madh ndeshjesh, është më mirë. Lojtarët kanë bërë një punë të mrekullueshme sa i përket përgatitjes individuale.

Mitaj dhe Daku? Ju flisni për dy lojtarë shumë të mëdhenj. Daku është një lojtar shumë i mirë. E kuptoj që mund të përmirësohen në ligën ruse. Aty, Daku mund të përmirësohet si sulmues i fuqishëm. Mitaj është një mbrojtës i majtë, edhe unë ashtu kam qenë. Është një lojtar taktik. E dua. E kam sjellë kur ka qenë 19 vjeç. E kam parë që mund ta ndihmojë ekipin e parë të Kombëtares. Më pëlqejnë që të dy dhe e di që mund të përmirësohen shumë në Rusi”, tha Sylvinho.