Kjo është e vetmja bisedë që nuk duhet ta bëni kurrë me mesazhe

Etika e komunikimit, rreth dërgimit të një mesazhi, telefonate apo bisede shpesh mbetet e paqartë

Në epokën e teknologjisë ku jetojmë, duket se gjithçka që flasim apo shkëmbejmë me telefon është në varësi të marrëdhënies që keni me personin tjetër.

Megjithatë, ekziston një rregull i përgjithshëm që i kapërcen të gjitha limitet, sipas Daniel Post Senning, bashkautor i “Etiquette Emily Post: The Centennial Edition”.

“Çdo bisedë që ka shanse të jetë e ngarkuar emocionalisht, ju duhet t’i jepni vetes mundësinë për ta analizuar sikur kjo gjë t’ju ndodhte juve,” thotë ai, duke treguar se e vetmja bisedë që nuk duhet të bëni me mesazh është dhënia e një lajmi të keq, shkruan CNBC.

Toni, domethënia dhe gjuha e trupit mund të ndihmojnë në ndryshimin e mënyrës se si merret një mesazh kur thuhet përballë dhe jo kur dërgohet përmes ekranit. Si lajmet e këqija, ashtu edhe ato të mira komunikohen më mirë me një telefonatë.

“Shpërndarja e lajmeve për vdekjen e dikujt ose detaje të këqija rreth një problemi shëndetësor, apo një diagnozë shëndetësore nuk janë lajme që jepen me tekst,” thotë Senning.

E njëjta formulë vlen edhe për lajmet e mira, siç mund të jetë ndarja e ditës së martesës apo blerja e një shtëpie të re në qytetin e ëndrrave, të gjitha këto detaje mund të ndahen fare mirë përmes telefonatave ose përballë me personin tjetër.

Një mënyrë e thjeshtë për të ditur nëse një mesazh, në fakt duhet të jetë telefonatë është të shihni se sa kohë ju merr përpilimi i mesazhit, citon Anabel.

“Nëse e gjeni veten duke shkruar një paragraf me mesazh, ndoshta duhet ta rimendoni idenë e tij, e më mirë t’i jepni kohë vetes që të bëni një telefonatë për të shpjeguar të gjitha detajet specifike, qoftë ky një lajm i mirë apo i keq,” vijon ai.

Në përgjithësi, mesazhet duhet të jenë thjesht e vetëm informuese.