Doni të jeni prindër të mirë? Ekspertët mendojnë se duhet të plotësoni 4 elementë

Shumë prindër çdo ditë edhe më shumë po hasen me probleme madhore për sa i përket rritjes dhe kujdesit të fëmijëve të tyre. Të rrisësh një fëmijë, të gatuash, të pastrosh apo edhe të shkosh në punë është realisht një sfidë e vështirë.

Shumë njerëz kanë frikë për rezultatet e tyre të prindërimit, nga njëra anë dëshira për të rritur një fëmijë të shëndetshëm e të edukuar dhe nga ana tjetër frika për të dështuar në këtë mision.

Falë rrjeteve sociale, mamatë e reja, por jo vetëm, mund të ndjekin kurse online në mënyrë që të përmirësojnë jetën e tyre dhe të bëhen prindër të denjë për fëmijët që do të rrisin.

Studiuesit sugjerojnë angazhimin në praktikat pozitive të prindërimit, duke përfshirë vendosjen e pritshmërive realiste dhe të qarta, krijimin e kufijve të shëndetshëm dhe ndjekjen e rutinave të parashikueshme. Këto janë pikat fillestare, veçanërisht për prindërit me fëmijë të vegjël, por ka edhe hapa të tjerë që mund të ndërmerren.

Menaxhimi i kohës në rrjetet sociale

Rrjetet sociale kanë disa përfitime pasi na mbajnë të gjithëve të lidhur, janë argëtuese dhe në fakt mund t’i quajmë ‘shpëtimtare’, pasi na mundësojnë një ‘arratisje’ nga realiteti në doza të vogla. Por nuk duhet të anashkalohen edhe dobësitë e përdorimit të tyre, qëndrimi i gjatë në rrjetet sociale për të rriturit, por veçanërisht edhe për fëmijët është i dëmshëm, pasi krijon shpesh herë iluzione dhe i largon fëmijët nga realiteti. Për shumë nëna t’i japësh fëmijës një tabletë apo një telefon dhe ta lesh të gozhduar pas lojërave dhe videove është një shpëtim, por në fakt ky “shpëtim” nuk është gjë tjetër veçse një kurth. Kjo do i bëjë fëmijët tuaj më antisocial dhe do i largojë nga realiteti. Mos u përpiqni t’u ofroni fëmijëve një fëmijëri të dixhitalizuar. Bëjeni fëmijërinë e tyre të prekshme dhe të paharrueshme.

Të dytën shkencëtarët renditin përqafimet

“Përqafoni” sugjerojnë ata. Sipas shumë pediatërve, këmbëngulja për përsosmëri të çon në joproduktivitet. Asnjë fëmijë nuk kërkon të ketë një prind perfekt, ata kërkojnë thjesht një lidhje të fortë emocionale, dashuri, siguri dhe përkrahje. Të provosh përsosmërinë në rritjen e fëmijëve do të thotë t’i përgatisësh fëmijët për një jetë stresi dhe zhgënjimi. Qeniet njerëzore nuk janë të përsosura. Përkundrazi, të bëjmë më të mirën në çdo ditë të caktuar është një portret shumë më realist i mënyrës se si funksionon bota. Kështu që le t’ia nisim nga baza, duke u dhënë fëmijëve tuaj sa më shumë dashuri çdo ditë dhe sa më shumë përqafime të ngrohta.

Sugjerohet që prindërit të heqin dorë nga monitorimi i arritjeve të fëmijëve duke i vendosur ata në presion. Fëmijët do të jenë më të lumtur të dinë se sa krenarë janë prindërit e tyre për arritjet e tyre të vogla, të dinë se sa shumë i duan ata. Fëmijët kërkojnë mbështetje, pavarësisht arritjeve të tyre që në sytë e prindërve mund të duken të vogla. Pediatrët e konsiderojnë prindërimin si një punë të gjatë nga ku fëmijët mund të mësojnë nga gabimet e tyre gjatë rrugës, thjesht duhet durim pasi koha do tregojë gjithçka.

Konkurrenca renditet e fundit në listë

Mania e shumë prindërve është që t’i krahasojnë fëmijët e tyre me bashkëmoshatarët, të afërmit ose fqinjët e tjerë. Çdo fëmijë është i veçantë, secili i arrin gjërat në një mënyrë unike. Do ishte më mirë për ju dhe për fëmijët tuaj që të përqendroheshit te arritjet e tyre se sa te arritjet e të tjerëve. Kështu do t’i motivoni më shumë dhe nuk do t’i bëni të ndjehen të dështuar.