Lajmi i shumëpritur! Ratifikohet marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për pensionet

Ratifikohet marrëveshja me Italinë për pensionet, 92 deputetë votuan pro, asnjë kundër.

MMinistri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se takimi i parë zbatues i marrëveshjes me Italinë për njohjen e pensioneve do të zhvillohet në datat 18-20 qershor.

Gjatë diskutimit në Kuvend të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore”, Gonxhja detajoi disa nga përfitimet që do të kenë qytetarët shqiptarë nga kjo marrëveshje.

“Të gjitha kontributet dhe ngjarjet në jetën tonë akumulohen dhe në rast se një person është në Itali dhe ka përfituar një pension të caktuar për shkak të viteve atje, por ka edhe disa vite në Shqipëri për të cilat nuk është i kualifikuar për të marrë pension, nga momenti që marrëveshja hyn në fuqi i takon e drejta të marrë edhe pensionin për vitet në Shqipëri. Nga momenti që marrëveshja hyn në fuqi, këto vite kthehen në një të drejtë pensioni për të, por natyrisht në masën që i takon nga kontributet në Shqipëri. Qytetarët nuk mund të kërkojnë lekë për vitet para se të hynte marrëveshja në fuqi, por nga dita që marrëveshja hyn në fuqi pensioni i tyre rritet bazuar në këtë riformulim”, tha Gonxhja.

Ministri tha se janë mbi 500 mijë shtetas shqiptar në Itali që janë përfitues të skemës ndërsa në Shqipëri 4 mijë italianë.