Shumica e njerëzve, fillimin e një lidhjeje e përshkruajnë si mjaft pasiononte, ndërsa shtojnë se me kalimin e viteve, e sidomos pas martesës, dëshira seksuale është më e ulët.
Në një studim të ri të botuar së fundi, studiuesit përdorën të dhëna nga dy raporte, për të zbuluar sesi dëshira seksuale tek burrat dhe gratë mund të ndryshojë në fazat e hershme të martesës. Studimi i parë përfshiu 72 çifte dhe i dyti 135 çifte.
Pjesëmarrësit plotësuan disa pyetësorë menjëherë pas martesës dhe më pas çdo gjashtë deri në tetë muaj. Në fillim, raportuan mesatarisht nivele të larta të dëshirës seksuale. Por në pyetësorët e plotësuar në vijim, dëshira seksuale e grave u ul ndjeshëm, ndërsa dëshira seksuale e burrave nuk pësoi ndryshime.
Ardhja në jetë e fëmijëve nxori në pah këtë ndryshim, ku u vu re se nënat e reja raportuan një ulje më të madhe të interesit seksual, ndërsa dëshira e burrave mbeti përsëri e qëndrueshme. Ajo që theksohet nga studiuesit, është se ulja e dëshirës seksuale tek gratë, kishte ndikim negativ në kënaqësinë seksuale të çiftit si dhe në lumturinë e tyre familjare.
Këto dy studime forcojnë stereotipin se gratë zakonisht kanë më pak dëshirë për marrëdhënie intime, ndërsa për meshkujt dëshira nuk varet nga kalimi i viteve, por mbetet thuajse e njëjtë si në fillim të lidhjes e më tej.
Sidoqoftë, mund të ketë disa shpjegime për këtë… Së pari, studimi tregon se burrat mund ta kenë të vështirë të pranojnë se po përjetojnë një rënie të dëshirës seksuale. Së dyti, një antropolog dhe autor i librit “Untrue”, argumenton se marrëdhëniet afatgjata mund të kthehen në monotone për femrat dhe ato nuk e përjetojnë më njësoj.
Për të përmirësuar jetën në çift, të dyja palët duhet të jenë të hapur në diskutime dhe në atë çfarë pëlqejnë, ndërsa në rastet kur nuk mund të përmirësohet, konsulta me një specialist të fushës mund t’u vinte në ndihmë/PSIKOLOGJIA