Ngjarja shokuese në Durrës, 19-vjeçarja dyshohet se vrau të atin me ndihmën e familjarëve

Detaje të reja janë zbardhur nga krimi i rëndë në familjen në Durrës që tronditi mbarë opinionin publik. 19-vjeçarja Hygerta Meta, një studente në vitin e parë për Ekonomi në Tiranë dyshohet se vrau babain e saj Pëllumb Metën, pasi e detyronte të fejohej me një emigrant në Itali, ndërsa policia po heton për persona të tjerë të përfshirë

E reja pretendon se e ka kryer krimin e vetme, por sipas policisë dhe prokurorisë, një gjë e tillë është e pamundur, edhe për shkak të fizikut dhe mënyrës se si është bërë fshehja e trupit.

Nisur nga kjo, hetimet paraprake ngrenë dyshimet se në këtë ngjarje tronditëse mund të kenë gisht edhe familjarë të tjerë, përjashtuar djalit të viktimës i cili denoncoi zhdukjen e të atit.
Pëllumb Meta u gjend i varrosur në oborrin e shtëpisë, ndërsa dyshohet se u vra nga e bija me një armë që ai e mbante pa leje, në kasollen e bagëtive.

Familjarët kanë dëshmuar se 50-vjeçari ishte autoritar dhe shpesh i dhunshëm në rast se nuk i dëgjohej fjala. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Shënavlash dhe deri më tani pistë hetimi janë konfliktet në familje.