Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gjakovë, ku një vajzë 4 vjeçare ka humbur jetën. Policia ka hapur hetimet për vdekjen e saj, pasi dyshohet se u rrah barbarisht nga familjarët.
Nëna e 4 vjeçares, Arjana Hajra nga Gjakova, thotë se së bashku me të bijën kishin vendosur t’i bënin një vizitë vëllait të saj, ku e kishte lënë vajzën jashtë për të luajtur me fëmijë.
Më pas, ajo tha se e ka gjetur të shtrirë në tokë. Sipas Hajrës, vajza i kishte thënë se e kishin rrahur fëmijët e familjarëve që kishin shkuar t’i vizitonin.
“E mora çikën, filloi me kajt. I thashë çka ki, më tha ma ka hi Jakupi me dërras qitu dhe djali i Sabijes mka rreh krejt. As ajo s’mkallxoj bash mirë. Tu ardh nuk mujke me ec, ‘oj mam zemra po m’dhemb’, e morra në shpi e tash si me fjalë mo e morra ajo veç kajke”, ka thënë Hajra.
Më tej ajo thotë se e mitura nuk kishte forcë për të qëndruar në këmbë dhe ka pasur mavijosje në fundshpinë e ënjtje në gjoks. Pasi e ka dërguar në Spitalin e Gjakovës, mjekët i kanë konfirmuar se vajza kishte lëndime të rënda në kokë e në gjoks.
“N’gjysë nate m’ka thirr doktorica me hy n’sallë, ku ka qenë çika. Kom hy kom nejt me çik dhe erdh doktorica po ma bën, oj zojë nuk e ka prej t’rrehnit, ka infeksion të madh. I ka shpërthy gjakderdhja prej infeksionit të madh”, ka shtuar ajo.
Shkakun e vdekjes nga një infeksion, e përmend edhe Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, por ai nuk ka kthyer përgjigje kur është pyetur nëse 4-vjeçarja kishte shenja të dhunës në trup.
Nëna e të ndjerës ka thënë që vëllai i saj ka mohuar që i biri ka rrahur të miturën, teksa ai është intervistuar nga Policia e Kosovës.