Bashkimi Europian (BE) pritet të nisë një hetim ndaj TikTok, për të kuptuar nëse aplikacioni ka shkelur rregullat e përmbajtjes në internet, rregulla që lidhen me mbrojtjen e fëmijëve dhe reklamimin në mënyrë transparente. Shefi i BE-së për industrinë, Thierry Breton, u shpreh se mbrojtja e fëmijëve ka qenë dhe është gjithnjë prioritet dhe se investigimi ndaj TikTok do të përfshijë verfikimin e moshës dhe sigurinë që kanë llogaritë e krijuara nga fëmijët.
“Si një platformë që mbërrin te miliona fëmijë dhe adoleshentë, TikTok-u duhet të pajtohet totalisht me rregullat e vendosura dhe të luajë një rol të rëndësishëm për mbrojtjen e të miturve në internet. Ne po nisim këtë procedim zyrtar për t’u siguruar që do të ndërmerren veprimet e duhura në mbrojtjen e mirëqenies fizike dhe emocionale të të rinjve europianë. Nuk duhet të kursejmë asnjë përpjekje për të mbrojtur fëmijët tanë”- u shpreh Breton, ndërsa për të dhënë një shembull, gjatë prillit të vitit 2023, Mbikëqyrja e të Dhënave në Irlandë, gjobiti TikTok-un me 245 milionë euro, për shkeljen e ligjit të vendosur nga Bashkimi Europian, për të dhënat e fëmijëve në rrjete sociale. Në të njëjtin muaj, edhe Komisioni i Informacionit në Mbretërinë e Bashkuar, gjobiti kompaninë me rreth 15 milionë euro, për marrjen dhe shpërndarjen e fëmijëve nën 13 vjeç, në mënyrë të paligjshme.
Nga ana tjetër, zëdhënësit e TikTok u shprehën se rrjeti social do të vijojë të punojë me ekspertë të industrisë, për t’u ofruar siguri maksimale të rinjve që përdorin platformën dhe ka rënë dakord që t’ja shpjegojë me kënaqësi çështjen Komisionit Europian.
Gjithsesi për hetimin nuk është caktuar asnjë afat dhe rezultati do të varet nga faktorë të ndryshëm, teksa duhet thënë që është një ceshtje mjaft komplekse.