Sot bëhen 16 vjet që kur Kosova u shpall shtet i pavarur. Pasditen e 17 shkurtit të vitit 2008, Kuvendi Republikës së Kosovës në Prishtinë shpalli zyrtarisht Pavarësinë, një hap historik i cili ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë dhe të vështirë me me vuajtje dhe sakrifica.
Për vite me radhë, deri në qershor të vitit 1999, shqiptarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Millosheviçit. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një preiudhë të caktuar kohe ka qenë një temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme.
Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Beogradi kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmes një Vendimi Këshillëdhënës rikonfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës i dha fund një cikli për qytetarët e Kosovës, të cilëve u lindi një detyrë e re; rindërtimi.