Deri sa vdekja të na ndajë! Ish-kryeministri i Holandës dhe bashkëshortja e tij ndërrojnë jetë të kapur dorë për dore, pas 70 viteve martesë

Dries van Agt, ish-kryeministri kristian demokrat i Holandës nga viti 1977 deri në vitin 1982, ka vdekur nga eutanazia, por ajo se çfarë e bën këtë më prekëse është se ai zgjodhi të ndahet nga jeta i kapur “dorë për dore” së bashku me gruan e tij. Të dy ishin 93 vjeç.

Lajmi u bë publik të premten nga organizata e themeleuar prej tij, Forumi i të Drejtave, i cili tha se çifti vdiq të hënën dhe do të varrosej në një ceremoni private në qytetin lindor të Nijmegen.

“Ai vdiq dorë për dore me gruan e tij të dashur Eugenie van Agt-Krekelberg, me të cilën ishte së bashku për më shumë se 70 vjet dhe të cilën ai gjithmonë e quante ‘vajza ime'”, thuhet në një deklaratë.

Të dy prej disa kohësh ishin në gjendje delikate shëndetësore. Në vitin 2019, Van Agt pësoi një hemorragji në tru ndërsa mbante një fjalim në një ngjarje përkujtimore për palestinezët dhe nuk u shërua kurrë plotësisht.

Kryeministri holandez Mark Rutte, i cili iu referua Van Agt si “stër-stërgjyshi i tij në detyrë”, foli shumë mirë për ish-politikanin.

“Me gjuhën e tij unike, bindjet e tij të qarta dhe prezantimin e tij të mrekullueshëm, Dries van Agt i dha ngjyrë dhe substancë politikës holandeze në një kohë polarizimi dhe rinovimi partiak,” tha Rutte në një deklaratë.

“Ai mori përgjegjësinë administrative në një kohë të trazuar dhe arriti të frymëzojë shumë me personalitetin e tij të mrekullueshëm dhe stilin plot ngjyra”, thanë Mbreti Willem-Alexander, Mbretëresha Maksima dhe Princesha Beatrix në një deklaratë të përbashkët.