10 shenjat që zbulojnë se një person është i pasigurt, edhe kur duket plot vetëbesim

Vetëbesimi është një nga cilësitë që tërheq më shumë vëmendje, por jo gjithmonë ai që duket i sigurt në vetvete është vërtet i tillë. Shpesh, pas një fasade të fortë mund të fshihen pasiguri, frikë nga gjykimi dhe nevoja për t’u pranuar nga të tjerët. (Vizion Plus)

Një nga shenjat më të zakonshme është tendenca për ta kthyer çdo situatë në garë. Këta persona ndihen vazhdimisht në nevojë të provojnë se janë më të mirë dhe e kanë të vështirë të pranojnë suksesin e të tjerëve.

Ata gjithashtu priren të flasin më shumë sesa të dëgjojnë. Shpesh ndërpresin bashkëbiseduesit ose e rikthejnë vëmendjen te vetja, pasi kështu ndihen më në kontroll të situatës.

Një tjetër tregues është perfeksionizmi i tepruar. Dëshira për të mos gabuar shpesh buron nga frika se një dështim mund të ndikojë në mënyrën se si i shohin të tjerët.

Edhe pse mund të duken të fortë, këta njerëz kanë nevojë të vazhdueshme për komplimente, miratim dhe vlerësim. Po ashtu, kritikën e marrin shumë personalisht dhe reagojnë me nervozizëm, justifikime ose tërheqje.

Shpesh ekzagjerojnë arritjet e tyre për të lënë përshtypje, ndërsa në disa raste mund të shfaqin arrogancë apo sjellje dominuese për të maskuar pasiguritë e brendshme.

Vetëvlerësimi i tyre ndryshon vazhdimisht, duke u ndikuar nga mendimi i të tjerëve dhe nga rrethanat. Ata krahasohen shpesh me njerëzit përreth dhe mund të ndihen të kërcënuar nga suksesi apo arritjet e tyre.

Një tjetër sinjal është lidhja e vlerës personale me statusin, pasurinë apo simbolet e suksesit, të cilat përdoren si mënyrë për të fituar respekt dhe për të fshehur mungesën e sigurisë në vetvete.